A mund të bartet virusi përmes parave?

0
1493

Nga Lul Raka, mikrobiolog

Si përhapet COVID-19?
Përhapet nga një person në tjetrin përmes stërpikëzave (spërklat) nga hunda ose goja kur i sëmuri ose infektuari me COVID-19 i nxjerr jashtë me kollitje, teshtimë apo të folur. Përhapet edhe me kontakt direkt, si p.sh. përshëndetja me shtrëngim duarsh, me ç’rast e prekim fytyrën pa i pastruar duart.
Disa njerëz infektohen duke prekur objekte ose sipërfaqe ku ka virus (tavolinë, gjësende) dhe më pas duke prekur sytë, hundën ose gojën.

A përhapet nga dikush që nuk ka fare shenja e simptoma të sëmundjes?
Po. Madje këta janë shumë të rrezikshëm në përhapjen e sëmundjes. Nuk mbrohen as ata e as tjerët që ju qëndrojnë pranë sepse nuk e dijnë. Sipas të dhënave të fundit personat pa simptoma mund të jenë 25% të njerëzve të infektuar.

A përhapet me rrugë ajrore COVID-19?
Jo, virusi nuk qëndron në ajër sepse ka peshë të rëndë dhe bashkë me spërkla bjen në tokë ose hapësirën përreth të sëmurit.

A mund të bartet COVID-19 përmes mushkonjave?
Jo.

A mund të përhapet virusi në bazen?
Nuk ka raste të raportuara të përhapjes në bazen. Dezinfektantët e bazenit, siç është klori, e shkatërrojnë virusin.

A bartet sëmundja me marëdhënie seksuale?
Jo. Deri tani nuk ka dëshmi se sëmundja bartet me këtë rrugë.

A mund të bartet virusi përmes parave?
Kjo është rrugë shumë e rrallë e përhapjes. Nëse i pastroni duart me rregull do ta shmangni këtë rrezik të infektimit. Prandaj pas prekjes së parave pastroni duart me ujë e sapun.

A mund ta prekem nga COVID-19 nga macja apo qeni im?
Nuk ka të dhëna se mund të prekeni nga macja apo qeni juaj. Një rast në Hong Kong ende është diskutabil.

A është e sigurt të marrim një pako me postë?
Rreziku është minimal sepse deri sa të mbërrijë pakoja virusi shkatërrohet ose humb infekciozitetin. Nëse i pastroni duart me sapun mos u frikoni sepse e keni larguar virusin.

A mundet dikush që del nga karantina për COVID-19 të përhapë sëmundjen tek të tjerët?
Personave në karantinë u bëhet testi ditën e fundit të qëndrimit në karantinë- d.m.th. ditën e 14-të. Nëse testi është negativ, ai person nuk e përhap sëmundjen.