9 Maj, dita e Evropës, fakte që duhet t’i dini

0
174

Evropa ka dy ditë të shënuara, 5 majin që njihet edhe si dita e Këshillit Evropian dhe 9 majin që është dita e Bashkimit Evropian dhe ka ngelur nga data kur ministri i Jashtëm francez Shuman, bëri deklaratën e njohur historike.

Deklarata e 9 majit 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbikombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake. Për këtë arsye dita e Bashkimit Evropian njihet ndryshe edhe si Dita e Shumanit.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”. Ajo është një nga simbolet e Evropës së Bashkuar.

Parlamenti Evropian e njohu ditën e Evropës sërish më 9 maj, në vitin 2008.

Dita e Evropës festohet edhe në vendet që nuk janë ende pjesë e BE-së për të theksuar vlerat e këtij unioni, përhapjen e tyre në sistemin e edukimit. 9 maji festohet edhe në Shqipëri. Që nga viti 2003, edhe Ukraina e feston këtë ditë, gjatë një të shtune maji.

Megjithëse është e pranuar gjerësisht si Dita e Evropës, ende disa grupe, mendojnë që 5 maji shpreh më mirë vlerat e demokracisë dhe barazisë mes popujve të Evropës, ndërsa 9 majin e shohin si ditën e një marrëveshjeje mes Gjermanisë dhe Francës.

Motoja e BE-së është “Të bashkuar në diversitet”.

Himni i BE-së është Himni i gëzimit, “Ode to Joy” e Bethovenit.

Anëtari më i ri: Kroacia.  Shqipëria është kandidate për në BE që prej vitit 2014.