6 raste me HIV këtë vit në Kosovë, 2 prej tyre kanë vdekur

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u shënua Dita Botërore e HIV/AIDS-it, nën moton: “Komunitetet bëjnë ndryshimin”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Prof. Dr. Naser Ramadani, tha se Kosova si vend, përballet me sfida të mëdha socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-ve të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve në vendet me prevalencë të lartë, dhe të gjithë këta faktorë, sipas tij, mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it, nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë.

“Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë, drejt parandalimit të sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse, përmes intervenimit në procesin fillestar, duke identifikuar faktorët e rrezikut, që ndikojnë në sëmundshmërinë e popullatës”, tha mes tjerash ai.

Shefe e Njësisë së HIV/AIDS, në IKSHPK, Dr. Luljeta Gashi tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, veçanërisht në mesin e popullatës MSM.

“Që nga viti 1986 deri në vitin 2019, në Kosovë janë raportuar 128 raste, deri më tani 51 kanë vdekur. Në vitin 2019, janë raportuar 6 rastë, dhe dy prej tyre kanë vdekur. Komuna e Prishtinës dominon me numrin më të madh, të rasteve të raportuara”, tha ajo.

Shef i Zyrës së OBSH për Kosovë, Dr Sergei Koryak, tha se 1 në 5 njerëz në rajon , nuk e dinë gjendjen me HIV, dhe se sipas tij, për këtë, nevojitet një angazhim i madh i të gjithë komunitetit.

Koordinatore e Programit të HIV/AIDS, të FG në CDF, Dr. Edona Deva, tha se janë investuar 15 milionë dollarë, për programin nacional kundër HIV/AIDS-it, në mënyrë që sipas saj, të krijohet një evidencë lidhur me këtë sëmundje.

Përfaqësuese nga Klinika Infektive, Dr. Hatixhe Gashi tha se të gjithëve personave të diagnostikuar me HIV/AIDS, përveç këshillimit dhe testimit, u sigurohet edhe terapia antiretrovirale.