23 vjet nga vdekja e simbolit shqiptar e botëror të humanizmit, Nënë Terezës

0
144

Sot bëhen 23 vjet nga vdekja e simbolit shqiptar e botëror i humanizmit e solidaritetit njerëzor, Shën Terezës.

Shën Nënë Tereza e cila me forcën e dashurisë dhe dhembshurisë së saj hyri në zemrat dhe fitoi respektin e miliona njerëzve në mbarë botën, duke i dhënë nder e krenari kombit shqiptar në kohën më të vështirë.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e lindur si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu me 26 gusht 1910 e njohur si Nënë Tereza dhe e nderuar në Kishën Katolike si Shën Tereza e Kalkutës, ishte një murgeshë katolike Shqiptare dhe misionare në Indi. Ajo lindi në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe.