22 vjet nga rënia heroike e Ismet Jasharit-Komandant Kumanovës

0
244

Sot bëhen 22 vite nga rënia heroike e Ismet Jasharit-Komandant Kumanovës.

Ismet Jashari, u lind më 16 prill 1967 në Orizare në Kumanovë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje për ta vazhduar shkollimin e mesëm në Kumanovë. Si gjimnazist nisi të merret me aktivitete patriotike dhe shpejt u diktua nga pushteti i atëhershëm dhe përjashtohet nga bankat shkollore, por ai vazhdoi shkollimin në gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë. Gjatë kësaj kohe vazhdimisht u përcoll nga organet e sigurimit shtetëror, për çka detyrohet që në gusht të vitit 1988 të migron në Zvicër, ku vazhdon veprimtarinë e tij patriotike me shumë shokë të tjerë të idealit.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë.

U thotë lamtumirë të gjithëve me radhe : gruas, vajzave, farefisit, shokëve dhe miqve, të gjithëve që i donte dhe e donin duke iu përgjigjur thirrjes “ATDHEU NË RREZIK – VENDLINDJA THËRRET” niset për në tokën arbërore dhe radhitet ndër të parët e luftëtarëve të lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Më 23 gusht 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.

Më 24 gusht në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në Luzhnicë, bie trimi, ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova.