21 “Zonjat që bëjnë shqiptarinë”

0
161

21 zonja ishin mbledhur në hollin e Hotelit Mak në Tiranë, dhe secila barte një rrëfim, sakrificë dhe mund, deri te momenti i mbrëmjes së fundjavës së shkuar, të cilat dekoroheshin me titullin “Zonja që bën shqiptarinë”, titull që iu dha 21 zonjave nga profile e vende të ndryshme, e që u nda nga Albanian Exellence, në krye me Flora Nikollën.

Të entuziazmuara për titullin, secila ofrohej te tjetra, për të dëgjuar një pjesë jetë, të cilat kishin kaluar nëpër shumë vite, punë e cila ishte vën nën llupën e Albanian Exellence, dhe që i kishte vlerësuar me këtë titull.

Në hollin e këtij hoteli, mu para ceremonisë së madhe, veshët të dëgjonin rrëfime të ndryshme, njëra tregonte për internimin që kishte përjetuar qysh në vegjëli, tjetra rrëfente për kohën e okupimit në Kosovë, e që ishte dashur shumë mund për të ardhur deri te kjo ditë, përderisa një tjetër rrëfente për rrugëtimin e vështirë në gazetari, e tjetra në fushën e mjekësisë.

Dhe krejt këto rrëfime dëgjoheshin edhe nga familjarët e tyre që i shoqëronin këto zonja, e që ishin dëshmitarë të afërt për punën e madhe të këtyre zonjave, e që pasojat shumë shpesh i kanë hequr po këto familje, por që të gjithë buzëqeshnin për kurorëzimin e punës, për më të dashurat e tyre.

Flora Nikolla, nikoqirja e kësaj mbrëmje ishte fjalëpak në këtë mbrëmje solemne, por e cila shijonte buzëqeshjen e secilës zonjë, që ngjitej në skenë për të marë titullin “Zonja qe bën shqiptarinë”.

“Ky titull obligon këto zonja që të punojnë më shumë për kombin shqiptar”, ka thënë Flora Nikolla.

Mbrëmja është shoqëruar me ndarjen e eksperiencave të zonjave, të cilat në skenë, ndanin përvojat e tyre deri te ky çmim.

Zonjat që kanë marë këtë çmim vijnë nga profile të ndryshme si: politikane, gazetare, mjeke, artiste, poete e shumë profile të tjera.

I njëjti vlerësim për këto zonja është bërë edhe me publikimin e librit, po me të njëjtin titull, ku zonjat në fjalë i ka paraqitë sipas rendit alfabetik.

KultPlus ju sjell listën me emrat e këtyre zonjave që kanë kontribuar shumë për promovimin e kombit shqiptar, secila në fushën përkatëse. Anila Hyka Smorgrav, Anila Kalleshi, Anita Hoxha, Ardiana Sokoli, Ardianë Pajaziti, Arta Haziri-Nuhiu, Bajana Ceveti, Edita Tahiri, Elvira Shkurti, Flora Masurica Durmishi, Ilmira Likës, Julinda Dhame, Merita Cocoli, Mimoza Caca, Minire Islami- Veliu, Nadire Jani-Kërtusha, Rajmonda Balilaj, Silvana Celiku, Syzanë Aliu, Teuta Fazliu dhe Zhaneta Saliu.

Albanian Exellence tash e sa vite është duke punuar  shumë në promovimin e grave, nga të gjitha anët e botës, dhe “Zonjat që bëjnë shqiptarinë”, ishte ngjarja e fundit që ka shënuar këtë fundvit, për ti lënë vend shumë ngjarjeve të tjera që vijnë në vitin 2020./Kult