21 shtator, kambana do dëgjohet në OKB

Sot më 21 shtator, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Paqes, e cila është themeluar nga Kombet e Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e ka shpallur këtë datë si përkushtim për forcimin e idealeve të paqes, mes vendeve dhe popujve të botës.

Tema e këtij viti është “E drejta për paqe – 70 vjetori i Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut”.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është një dokument i rëndësishëm në historinë e të drejtave të njeriut. Hartuar nga përfaqësues me prejardhje të ndryshme ligjore dhe kulturore nga të gjitha rajonet e botës, Deklarata u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Paris më 10 dhjetor 1948 si një standard i përbashkët arritjesh për të gjithë popujt dhe të gjitha kombet.

Deklarata Universale – dokumenti më i përkthyer në botë, i disponueshëm në më shumë se 500 gjuhë – është aq i rëndësishëm sot sa ishte në ditën kur u miratua.

“Është koha që të gjitha kombet dhe të gjithë njerëzit të jetojnë sipas fjalëve të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila njeh dinjitetin e pandarë dhe të drejtat e barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të racës njerëzore. Ky vit shënon 70 vjetorin e atij dokumenti historik”, sekretari i Përgjithshëm António Guterres.

Dita ndërkombëtare e paqes shënohet edhe me një ceremoni në OKB ku bie Kambana e Paqes.

Në vitin 1954 fëmijë nga 60 shtete i dhuruan OKB-ës, monedha, të cilat shërbyen për të farkuar kambanën, e cila bie çdo vit, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Paqes./oxygenpress.info