120 karroca me çanta shkolle vendosen në bulevardin Skënderbeu në shenjë thirrjeje për përfshirje më të madhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara

0
103

Gjersa gradualisht po i kthehemi normalitetit pas gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, zyra e UNICEF-it në Kosovë po bën thirrje për vëmendje më të madhe për mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në mënyrë që ata të mos lihen në karantinë për pjesën tjetër të jetës së tyre. Instalacioni i cili do të zgjasë nga data 17 deri më 25 maj është thirrje që u bëhet vendimmarrësve, shoqërisë civile, mediave dhe sektorit privat për përfshirje më të madhe të fëmijëve që jetojnë me aftësi të kufizuara.
Murat Sahin, Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë thekson se “sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, të gjithë fëmijët, pa dallim, kanë të drejta të barabarta. Na përket neve që t’i ndihmojmë ata që ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Është detyrimi ynë moral, ligjor dhe njerëzor.
Izolimi dhe distancimi shoqëror që të gjithë prej nesh po e përjetojnë në kohën e pandemisë së COVID-19 është diçka që fëmijët me aftësi të kufizuara e përjetojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Përderisa Kosova gradualisht i kthehet normalitetit pas situatës së shkaktuar nga COVID-19, është e rëndësishme që shoqëria të ndihmojë që të përfundojë izolimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara njëherë e përgjithmonë. Një normalitet i përshtatshëm, i ri dhe më i mirë për një shoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë.”

Zyra e UNICEF-it në Kosovë përmes këtij instalacioni po kërkon:

• Përshtatjen e praktikave mësimore gjithëpërfshirëse për të përmbushur nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara
• Caktimin e një numri adekuat të asistentëve të mësimdhënësve për fëmijët me aftësi të kufizuara në nivelin parashkollor dhe në shkolla.
• Ndarjen e një buxheti të mjaftueshëm për transport falas të fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në objektet parashkollore dhe në shkolla.
• Ofrimin e pajisjeve teknologjike dhe ndihmëse për të gjithë fëmijët në nivel parashkollorë dhe shkollor.
• Përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të familjeve të tyre në aktivitete shoqërimi dhe aktivitete sportive.
• Qasje për të gjithë në hapësira publike, shkolla dhe biznese.

UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë institucionet dhe komunitetet për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me personat dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, duke përfshirë këtu përmirësimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve me bazë në komunitet, stimujve dhe ndihmave sociale në para të gatshme në mënyrë që të drejtat e tyre të përmbushen.
###
Rreth UNICEF-it
UNICEF-i punon në disa nga vendet me gjendjen më të vështirë në botë, për t’u ofruar ndihmë fëmijëve më të privuar në botë. Në mbi 190 vende dhe territore, ne punojmë për çdo fëmijë, kudo që ata të jenë, për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë. Për më shumë informata në lidhje me UNICEF-in dhe punën që bën për fëmijët kjo organizatë, vizitoni www.unicef.org.
Karrocat janë siguruar nga organizata HANDIKOS në Prishtinë.