𝗞𝗼𝗸𝗲̈𝗱𝗵𝗶𝗺𝗯𝗷𝗮 𝗰𝗲𝗿𝘃𝗶𝗸𝗼𝗴𝗷𝗲𝗻𝗲

0
327
Kokëdhimbja cervikogjene ndodh kur dhimbja nga një burim specifik në qafë referohet në kokë. Në shumicën e rasteve kjo është një dhimbje e topitur (jo e mprehtë), por nganjëherë intensiteti i dhimbjes mund të shtohet.

Simptomat e kokëdhimbjes cervikogjëne zakonisht shfaqen në njërën anë të qafës, kokës apo fytyrës. Kokëdhimbja cervikogjene është dhimbje sekondare që ka burimin në qafë, prandaj është vështirë për të u diagnostikuar dhe shpesh ngatërrohet me kokëdhimbjet primare siç janë migrena dhe kokëdhimbja nga tensioni.

𝗦𝗶𝗺𝗽𝘁𝗼𝗺𝗮𝘁
• Dhimbje e topitur me intensitet mesatar ose të lartë në qafë dhe kokë,
• Humbje e fleksibilitetit të qafës,
• Dhimbja në pjesën e pasmë të kokës mund të referohet përpara në kokë, ballë, rreth syrit dhe veshit,
• Turbullim i shikimit në njërin sy,
• Dhimbje në krahë ose mes dy shpatullave.

𝗦𝗵𝗸𝗮𝗸𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘁
• Lëndimet e nyjeve të qafës (rrëzimi, lëndimet në sport etj.)
• Lëndimet Whiplash (goditjet nga pas në aksident me veturë)
• Artriti reumatoid i nyjeve të qafës
• Hernia diskale
• Ndryshimet degjenerative për shkak të moshës

𝗗𝗶𝗮𝗴𝗻𝗼𝘀𝘁𝗶𝗸𝗶𝗺𝗶
Profesionisti shëndetësor përcakton këtë diagnozë pas marrjes së historisë së pacientit dhe ekzaminimit fizik. Poashtu ai mund të kërkojë të bëhen procedura tjera diagnostike radiologjike siç janë radiografia, tomografia e kompjuterizuar CT, ose rezonancë magnetike MRI.

𝗧𝗿𝗮𝗷𝘁𝗶𝗺𝗶
Kokëdhimbja cervikogjene zakonisht trajtohet përmes fizioterapisë. Kryesisht përdoret terapia manuale që fokusohet në procedurat si masazha për muskujt e qafës si dhe manipulimi i unazave të qafës. Kjo metodë e fizioterapisë është treguar e suksesshme sidomos kur kombinohet me ushtrime. Gjithashtu elektroterapia ka efekt në stimulim nervor dhe ndalje të dhimbjes. Ushtrimet terapeutike fokusohen kryesisht në forcimin dhe zgjatjen e muskujve të qafës. Programi specifik i ushtrimeve përcaktohet nga fizoioterapeuti për secilin pacient.

𝗞𝗲̈𝘀𝗵𝗶𝗹𝗹𝗮 𝗿𝗿𝗲𝘁𝗵 𝗸𝗲̈𝘁𝗶𝗷 𝗽𝗿𝗼𝗯𝗹𝗲𝗺𝗶
• Shmangni lëvizjen dhe qëndimin në pozitë që ngacmon dhimbjen,
• Mbani një qëndrim të drejtë kur uleni ose vozitni,
• Shmangni fjetjen në stomak nëse kjo e përkeqëson dhimbjen,
• Zgjedhni jastëkun e duhur për fjetje.

𝗔𝗿𝗯𝗲̈𝗿 𝗞𝗹𝗶𝗻𝗮𝗸𝘂 – 𝗙𝗶𝘇𝗶𝗼𝘁𝗲𝗿𝗮𝗽𝗲𝘂𝘁